top of page

U bënë 20 vite që nga hapja e Qendrës Diagnostikuese "Ungjillëzimi"

Në nëntor bëhen 20 vjet nga hapja e Qendrës Orthodhokse Diagnostike “Ungjillëzimi”, një kontribut i rëndësishëm i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në shëndetësi. Me këtë rast, në 3 nëntor 2019, nxënëse dhe mësuese nga dega e infermierisë të shkollës tonë morën pjesë në veprimtarinë festive që u bë në sallën e madhe të Qendrës Kulturore, pjesë e kompleksit të Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, në Tiranë. Merrnin pjesë mjekë dhe personel mjekësor, persona që kanë kontribuuar në vite për Klinikën, politikanë dhe personalitete, besimtarë etj. Në veprimtari mori pjesë dhe ideatori, financuesi dhe mbështetësi i saj në ço hap në këto 20 vjet, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastasi, Mitropoliti i Elbasanit Andoni, Mitropoliti i Amantias, Nathanaili, Episkopi i Bylisit, Asti dhe klerikë të Kryepiskopatës.

Pas mirëseardhjes, për historikun e ngritjes dhe funksionimit të Qendrës Diagnostike Orthodhokse foli dr. Themistokli Sinjari, mjek në klinikë e më pas prekën aspekte të ndryshme të këtij shërbimi Drejtori Ekzekutiv, Vasil Kristo, dr. Stilian Buzo, drejtues teknik i Laboratorit dhe Katerina Avdia, përshëndeti në emër të personelit.

Më pas u shfaq një video-dokumentar, që jepte rrugën e ndjekur nga klinika dhe shërbimet që e përbëjnë atë.

Në fund, përshëndeti të pranishmit Kryepiskopi Anastas, i cili tha se çdo gjë bëhet me hirin e Zotit tonë Jisu Krisht dhe kujtoi rrugëtimin e Klinikës dhe kontributin e gjithë atyre që kanë shërbyer në të.

Pas veprimtarisë festive fëmijët kishin kohën për të shijuar një shëtitje në Tiranë dhe në Qendrën Tregëtare.

bottom of page